
Abdixhiku: Marrëzisë politike e mendësisë së izolimit, të frikës, duhet t’i dalim në ballë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, vizitoi sot Kaçanikun, ku u prit nga një numër i madh i qytetarëve.
Gjatë kësaj vizite, Abdixhiku përcolli mesazhe të forta për situatën aktuale politike duke thënë se “marrëzisë politike e mendësisë së izolimit, të frikës, duhet t’i dalim në ballë të gjithë.”
Duke iu drejtuar qytetarëve të Kaçanikut, Abdixhiku theksoi rëndësinë e bashkimit përballë sfidave politike dhe shprehu bindjen se LDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin drejt një të ardhmeje më të mirë.
“Marrëzisë politike e mendësisë së izolimit, të frikës, duhet t’i dalim në ballë të gjithë, sepse nuk është mendësi e Kosovës sonë. Kjo nuk është sjellja jonë. Kjo nuk është ëndrra jonë. Dhe në këtë sfidë, LDK-ja vjen e përgatitur. Ajo, ia ka dalë në kushte shumë të rënda, me Ibrahim Rugovën në krye, ta vendoste vendin tonë në hartën e popujve të lirë, të cilët, na u gjinden në të gjitha rrethanat, dhe ne, në kushtet e reja, të sotme, dimë e mundemi, ta kthejmë përsëri Kosovën aty ku e ka vendin.
Unë sot jam para jush t’ju them se nuk ka Kosovë të partive e të grupeve. Nuk ka Kosovë të individëve, por ka një Kosovë dhe një Kosovë të vetme, ka një ëndërr dhe një ëndërr të vetme, ka një atdhe dhe një atdhe të vetëm.” – tha Abdixhiku.