
Ademi: Maqedonasit s’mund ta fitojnë “pjesën e dytë” kundër shqiptarëve, siç e kanë projektuar ata
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi vlerëson se Qeveria e Mickoskit po zbaton politika për t’i kthyer shqiptarët në situatën që kanë qenë para vitit 2001.
Në emisionin “Dialog te Lajmi”, Ademi, tha se kohës së fundit, shumë opinionist dhe politikanë maqedonas flasin për hakmarrje ndaj shqiptarëve për luftën e 2001, madje duke folur hapur për atë që ata e quajnë “pjesa e dytë”.
Sipas tij, dy partitë më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja kanë një plan të përbashkët, që siç thotë Ademi, u arrit në vitin 2022 me ndërmjetësim të oligarkisë për t’i përjashtuar shqiptarët nga vendimmarrja dhe për t’i margjinalizuar ata.
Megjithatë, Ademi është i bindur se maqedonasit nuk mund ta fitojnë këtë betejë të padrejtë kundër shqiptarëve.
“Me zë flitet në opinion nga opinionistë të ndryshëm, nga përfaqësues të ndryshëm politik, se tani është koha për pjesën e dytë të lojës mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Ku ata pretendojnë se shqiptarët e kanë fituar pjesën e parë të lojës, e tash në pjesën e dytë tentojnë që ta përmbysin rezultatin, gjithmonë sipas tyre”, tha Ademi.
Lajm: A mund ta fitojnë maqedonasit pjesën e dytë të lojës?
“Ashtu siç e kanë projektuar ata nuk mund ta fitojnë asesi. Për arsye se Maqedonia e vitit 2024-2025 është krejtësisht ndryshe dhe nuk është Maqedonia e para vitit 2001”,tha Ademi në emisionin “Dialog te Lajmi”.