
Adnan Azizi godet BDI-në: Shqiptarët nuk do të jenë më numra për pazare politike
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe qëndrimeve të përfaqësuesve të BDI-së, duke i quajtur “qyqarë” dhe duke i akuzuar për tradhti të vazhdueshme ndaj interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Azizi shprehet se nuk e kupton nëse reagimet e eksponentëve të BDI-së i shkruajnë vetë apo u diktohen nga Levica dhe partnerët e tjerë opozitarë maqedonas.
“Ata i kanë parë shqiptarët vetëm si numra për të bërë pazare politike. Herë i shesin si shqiptarë, herë si maqedonas, turq apo vllehë – sipas interesave të ditës,” ka shkruar Azizi.
Ai akuzon BDI-në se për dekada e ka përdorur kauzën shqiptare për përfitime të ngushta partiake dhe familjare, ndërsa përfaqësimin e shqiptarëve e ka reduktuar në përqindje dhe statistika që nuk janë zbatuar kurrë realisht në praktikë.
“U pengon që shqiptarët të përfaqësohen drejt dhe barabartë. I shohin si numra, njëjtë siç e vendosën edhe gjuhën shqipe si përqindje, që asnjëherë nuk arritën ta implementojnë,” ka shtuar ai.
Deputeti i VLEN-it thekson se koha e kalkulimeve politike ka marrë fund dhe se shqiptarët nuk do të jenë më mjete për pazare dhe punësime familjare.
“Përfaqësimi nuk do të jetë me numra, por me zgjidhje ligjore të paabrogueshme, që nuk mund t’i prishë as BDI-ja e as patronët e saj,” përfundon Azizi.
Azizi e mbyll reagimin me një mesazh të ashpër ndaj BDI-së, duke e akuzuar për “mision anti-shqiptar” dhe duke paralajmëruar fundin e saj politik si “tradhëtare ndaj interesave kombëtare”.