
Adnan Azizi: VLEN po rritet, populli e ndau të mirën nga e keqja
Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi ka theksuar rritjen dhe konsolidimin e vazhdueshëm të këtij subjekti tashmë në pushtet, duke e quajtur këtë fazë si një katarzë politike që po e ndan përfundimisht të mirën nga e keqja në skenën politike shqiptare.
Sipas Azizit, qytetarët e kanë bërë të qartë dallimin mes atyre që kanë ideale dhe punojnë për interesin publik dhe atyre që kanë përdorur politikën për përfitime personale e familjare. “Kush i qëndron vullnetit të popullit mbetet krenar dhe faqebardhë. Mbetet besnik ndaj 107 mijë votave dhe ndaj besës së dhënë se kurrë më BDI në pushtet,” u shpreh Azizi.
Ai theksoi se ata që kanë devijuar nga kjo rrugë, janë ndëshkuar politikisht dhe moralisht nga vetë populli, duke u përjashtuar nga skena politike.
Duke folur për zhvillimet në terren, Azizi tha se aktivistët e Aleancës për Shqiptarët janë të angazhuar fuqishëm dhe me motivim të lartë për të çuar përpara vizionin dhe prioritetet e VLEN-it në qeverisje. “Nuk flas me emocione, por me fakte. Fryma e VLEN-it është më e gjallë se kurrë,” deklaroi ai./ZYRTARE.net/