Afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës mbyllet sot, mbi 99 mijë aplikime të aprovuara – prijnë Gjermania e Zvicra
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Gazetën Express se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë, sot, më 17 maj 2026.
Në bazë të të dhënave, “nga fillimi i këtij procesi dhe deri më tani (e diel, 17 maj 2026, ora 10:00, përmes platformës elektronike http://diapsora.kqz-ks.org janë pranuar 117,246 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 99,498, ndërsa 7,621 të tjera janë refuzuar dhe 10,059 janë në pritje për shqyrtim”, konfirmoi Elezi për Express.
“Nga 99,498 aplikime të aprovuara, 22,955 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 2,590 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 73,953 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, tha ai.
“Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermani (49,102), Zvicër (23456), Francë (4,193), Suedi (3,750), Austri (3,165), Mbretëri e Bashkuar (2,370), Itali (2,206), ShBA (2,070), Belgjikë (2,024), Slloveni (1,400), Slloveni (1,400), Norvegji (1,154) dhe Finlandë (1,010)”, dha tutje detaje Elezi.
Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor 2026, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës.
“Votimi përmes postës do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor 2026. Për këtë mënyrë votimi, KQZ do të njoftojë me kohë për adresat e kutive postare, në të cilat votuesit do të mund ta dërgojnë pakon me fletëvotim”, përfundoi Elezi.