Afellaj: Anglezët reagojnë vetëm kur gjenden në vështirësi ekstreme
Holanda nuk e pret me frikë përballjen me Anglinë, edhe pse shumëkush para EURO 2024 cilësonte “tre luanët” si pretendentë kryesorë për të fituar trofeun. Paraqitjet e anglezëve kanë lënë shumë për të dëshiruar dhe yjet që kanë në skuadër, kanë prodhuar shumë pak futboll në krahasim me atë që pritej.
Sipas ish-futbollistit të Holandës, Ibrahim Afellaj, trajneri Garet Sauthgejt është fajtor pasi nuk i jep një identitet këtij ekipi.
“Me Anglinë realisht mendon ”çfarë po më shohin sytë!”. Nuk kanë asnjë lloj automatizmi. Nuk e dinë as çfarë do të bëjnë! As trajneri nuk e di. Ai dëshironte të hiqte Bellingam, Xhud në fushë po mendonte “çfarë po ndodh këtu?”. Kjo po, nëse heq Bellingam, ai duhet të dorëzojë edhe pasaportën e tij”, tha Afellaj.
Ai mendon se anglezët reagojnë vetëm kur gjenden në vështirësi ekstreme.
“Në momentin kur Anglia është në disavantazh, lë pas krahëve çdo dyshim që ka dhe nis të rrezikojë, atëherë e kupton që mund të reagojnë”, tha ai.