
Agim Ademi: Realisht kërkojmë të jemi në vendin e parë
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi beson se Kosova do të dalë e para në Grupin 2 të Ligës B të Ligës së Kombeve. Ai shpreson që ndeshjen e parë ta kenë ndaj Rumanisë në Bukuresht.
“Nuk është grup i keq. Janë ekipe që i njohim nga e kaluara. Nuk mund të them që është grup i dobët, është grup korrekt. Grup që mund të kalohet duke pasur parasysh formën që po e kalojnë aktualisht lojtarët nëpër klubet e tyre. Uroj që ta kemi grupin e kompletuar për të gjitha ndeshjet. Uroj të jemi në vendin e parë. Besoj se do të jemi në vendin e parë. Realisht kërkojmë të jemi në vendin e parë. Ky është edhe objektivi jonë, pasi tani do të ndjekim rezultatet, edhe pse asgjë në futboll nuk ka të sigurt. Por uroj të kemi më shumë fat”, ka thënë Ademi
Ai ka folur edhe për ndeshjen ndaj rumunëve. Kosova pati telashe në Bukuresht, në ndeshjen që e pati zhvilluar në shtator, në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Kosova e pati humbur ndeshjen 2:0. Ndeshja ishte ndërpre në minutën e 18-të kur një grup huliganësh rumunë në stadium shfaqi panon “Kosova është Serbi”. Ndeshja më pas nuk pati vazhduar për plot 50 minuta.
“Ka qenë për ne një situatë e papritur. E papritur, pasi nuk e kemi besuar se në një vend evropian mund të na ndodh ajo situatë. Por tash e dimë me kënd do të përballemi dhe çka mund të ndodhë. Do të përgatitemi, por ajo që ne do ta kemi fokus, është fusha. Do të fokusohemi vetëm në fushë. Uroj që ndeshja e parë të jetë në Bukuresht kundër Rumanisë. Orarin do ta mësojmë të premten”, është shprehur Ademi.
Kosova në Grupin 2 të Ligës C të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s e ka edhe Qipron, ndërsa më vonë do t’i bashkohet njëra prej dy përfaqësuesve, Lituania ose Gjibraltari. Këto dy përfaqësuese do të përballen kundër njëra-tjetrës në plejaut./Koha.net/