Agjërimi musliman nuk do të tolerohet më në ekipet kombëtare franceze?!
Me vendim të Federatës Franceze të Futbollit, agjërimi musliman nuk do të tolerohet më në ekipet kombëtare franceze.
Federata tashmë po imponon shtyrjen e praktikave fetare për momente të tjera të sezonit, siç kanë këshilluar edhe imamët në raste të caktuara. Një zgjedhje e cila, sipas skuadrës, ngre dyshime dhe tensione te disa lojtarë të besimit islam. Vendimi i marrë rrjedh nga kriza që shpërtheu një vit më parë kur disa lojtarë nën 21 vjeç kishin kërcënuar me grevë, nëse do të pengoheshin të praktikonin Ramazanin në kampin stërvitor. Presidenti Filipe Diallo ndërhyri më pas, duke shpallur një rregull të përbashkët për të gjithë.
Prandaj, muajt e fundit, drejtuesit kanë përgatitur terrenin, duke konstatuar se “asnjë praktikë fetare nuk do të mund të çojë në ndryshime në organizimin kolektiv”. Në praktikë, në përputhje me parimin e sekularizmit, orari i stërvitjes, vakteve apo ndeshjeve nuk do të ndryshohet për të respektuar porositë fetare.
Ramazani filloi më 11 mars dhe do të zgjasë një muaj, duke përfshirë datat e miqësoreve të fundit para Kampionatit Europian. Për Francën janë planifikuar dy ndeshje, ndaj Gjermanisë dhe Kilit, dy teste të rëndësishme për të vendosur hierarki dhe tendenca për thirrjet finale.
Nëse në kombëtaren e seniorëve rregulli i ri nuk ngjallte ndonjë dyshim të veçantë, sipas “Le Equipe” ka një tension në ekipet e të rinjve, nga ku do të ishte përjashtuar një lojtar i vendosur për të mos hequr dorë nga agjërimi. Për Federatën e Futbollit, në rast problemesh do të favorizohet dialogu.