
Ahmeti përkujton 24-vjetorin e masakrës së Lubotenit: Një ditë që nuk shuhet kurrë nga kujtesa
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kujtuar sot 24-vjetorin e masakrës së Lubotenit të 12 gushtit 2001, ku forcat paramilitare vranë mizorisht 10 civilë shqiptarë, mes tyre edhe një fëmijë vetëm 6-vjeç.
“Luboteni, 12 gusht 2001, një ditë që nuk shuhet kurrë nga kujtesa jonë kombëtare. Forcat paramilitare vranë mizorisht 10 civilë shqiptarë, mes tyre edhe një fëmijë vetëm 6 vjeç,” ka deklaruar Ahmeti.
Ai e cilësoi këtë masakër si dëshmi të gjallë të çmimit që shqiptarët kanë paguar për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor, duke theksuar:
“Kjo masakër është dëshmi e gjallë e çmimit që shqiptarët kanë paguar për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor. Epilogu i saj është vula e luftës së pastër të UÇK-së.”
Ahmeti shtoi se misioni i paqes dhe orientimi euro-atlantik i vendit do të vazhdojnë pa kompromis.
“Sot, 24 vite më pas, kujtojmë me nderim dëshmorët dhe viktimat e pafajshme, dhe ripërtërijmë zotimin tonë: pa kompromis do të vazhdojmë misionin për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit,” tha ai.
“Lavdi të rënëve të Lubotenit!” përfundoi Ahmeti. Flaka Media