Ahmeti: VLEN nuk ka as legjitimitet, as kapacitet për të qenë në qeveri
Në mbledhjen e mbrëmshme të BDI-së ku u miratuan tri rezoluta Lideri i Integristëve, Ali Ahmeti, u dërgoi mesazh partisë në pushtet VLEN duke iu drejtuar se nuk kanë kapacitet dhe vizion për bërë ndryshimin, por këtë sipas tij, e kanë bërë për interesa të ngushta grupore.
“Ata njerëz të cilët kanë votuar se gjoja kanë votuar ndryshimin, çfarë ndryshimi mund të bëjnë ata të cilët nuk kanë as kapacitet, as njohuri e as vizion por janë ngjitur për interesa të ngushta grupore dhe parciale për të mbrojtur interesat e një grupi të caktuar”.
Akuzave të kreut të BDI-së Ali Ahmeti se qeveria e re, nuk ka legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët dhe se nuk kapacitet politik iu përgjigj Bilall Kasami. Kasami thotë se koalicioni VLEN ka legjitimitetin e plotë të përfaqësimit të shqiptarëve dhe do realizoj projekte të rëndësishme në dobi të tyre.
“Koalicioni VLEN ka legjitimitetin e plotë të përfaqësimit të shqiptarëve. BDI dhe Ali Ahmeti duhet të kenë hallin e funksionarëve të tyre që kanë keqpërdorur pozitat zyrtare dhe për të cilat ata duhet të japin llogari., Koalicioni VLEN me legjitimitetin e marrë nga shqiptarët do përfaqësojë shqiptarët dhe do realizojë projekte të rëndësishme për përmirësimin e jetës së tyre të përditshme, por edhe të drejtave të tyre si shqiptarë”.
Kasami shtoi se ashtu si siç kanë bërë ndryshime në pushtetin lokal të njëjtën do ta bëjnë edhe në pushtetin qendror.
/a.r