AKI denoncon presionet politike ndaj aktivistëve dhe bizneseve në Tearcë
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka reaguar ashpër ndaj, siç i cilëson ajo, presioneve të vazhdueshme politike dhe institucionale ndaj aktivistëve, bizneseve dhe qytetarëve që e mbështesin këtë subjekt.
Në një reagim zyrtar drejtuar mediave, AKI ka deklaruar se gjatë ditëve të fundit “po vërehet një tendencë e hapur për ushtrim frike dhe presioni psikologjik”, duke shtuar se disa prej aktivistëve të saj “ndalohen deri në tre apo katër herë në ditë, vetëm për të krijuar klimë pasigurie”.
“Në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, operatorët ekonomikë po sulmohen, ndërsa aktivistët tanë po përballen me ndalime të shpeshta nga organet e rendit. Këto veprime janë në kundërshtim me ligjin, me parimet demokratike dhe me standardet që garantojnë një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm,” – thuhet në reagim.
Subjekti opozitar thekson se ka njoftuar zyrtarisht OSBE-në, Ambasadën e SHBA-së dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për “shkeljet serioze dhe klimën e frikës që po tentohet të krijohet në komunën e Tearcës”.
AKI kërkon ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve kompetente për të ndalur këto veprime, si dhe monitorim nga afër të situatës nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Prokuroria Publike dhe institucionet ndërkombëtare.
“Fushata duhet të zhvillohet me ide, plane dhe argumente — jo me frikësime, kërcënime e shantazhe. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë me dinjitet, qetësi dhe besim se qytetarët e Tearcës e dinë mirë kush po punon për zhvillim dhe kush po përdor aparatin e shtetit për presion politik,” – përfundon reagimi i AKI-së.