
Aksident i gjashtëfishtë, një shqiptar i vdekur dhe 10 të plagosur – Detajet
Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Kosovën, duke lënë pas një viktimë dhe dhjetëra të plagosur. Ngjarja ndodhi sot pasdite, rreth orës 18:20, në rrugën Prishtinë-Pejë, saktësisht te ura në fshatin Komoran, në drejtimin Pejë-Prishtinë.
Në këtë aksident masiv u përfshinë gjashtë automjete. Si pasojë, një person humbi jetën, ndërsa dhjetë të tjerë u plagosën. Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, sipas Naser Syla, drejtorit të Emergjencës në QKUK. Gjashtë nga dhjetë të plagosurit janë lëshuar për në shtëpi pasi morën ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia nis hetimet, menaxhon trafikun në Komoran
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ekipet e emergjencës mjekësore dhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për t’u ofruar ndihmë personave të bllokuar dhe për të menaxhuar situatën.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, konfirmoi ngjarjen dhe bëri të ditur se Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti tragjik. Gjatë kohës së ndërhyrjes, trafiku në këtë segment rrugor u menaxhua nga forcat e rendit. KALLXO.com ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shfaqen dëmet e mëdha në automjetet e përfshira në përplasje.