Aksident i rëndë, ndërrojnë jetë dy vajza. Emrat
Kryetari i Komunës së Kamenicës në Kosovë, Kadri Rahimaj, ka reaguar pas humbjes së jetës së dy vajzave nga kjo komunë në një aksident komunikacioni në Ranillug, kurse një tjetër vajzë është në gjendje kritike.
Rahimaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kamenica sot është tronditur me lajmin e kobshëm për dy studentet shembullore Arbnora Basha dhe Antiana Thaçi, ndërsa Arlinda Basha po lufton për jetën.
“Ndërsa të gjithë ne po lutemi që Arlinda, të gjejë forcë për të tejkaluar gjendjen kritike të saj. Lutjet tona janë që ajo të kthehet pranë familjes dhe shoqërisë sa më pare”, ka shkruar Rahimaj.
Më tej Rahimaj ka thënë se “për të gjithë ne që kemi pas rastin t’i njohim, ato ishin vajza shembullore, studente të dalluara dhe me vullnet dhe dëshirë për të ardhmen”.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjes Basha dhe Thaçi, për humbjen e papritur të më të dashurave të tyre. Bashkëndjejmë dhimbjen me Ju! Qoftë i lehtë dheu dhe u prehshin në paqe!”, ka shkruar ai.