Aksident tragjik – SHUHET e gjithë familja shqiptare
Një tragjedi e rëndë ka goditur familjen Gashi nga Llapushniku i Drenasit. Fatlum Gashi, 19 vjeç, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda të marra në një aksident trafiku që ndodhi më 18 gusht. Lajmi i vdekjes së tij vjen vetëm pak ditë pasi në të njëjtin aksident, humbën jetën edhe prindërit e tij, Shemsi dhe Ajshe Gashi.
Aksidenti fatal ndodhi në rrugën Prishtinë-Pejë, ku çifti Gashi humbi jetën në vendngjarje, ndërsa djali i tyre, Fatlumi, u dërgua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Për disa ditë, ai ishte në gjendje kome, por nuk arriti t’i mbijetonte lëndimeve të marra. Mjeku kujdestar, Dr. Damir Haxhitasimi, ka konfirmuar vdekjen e tij për mediat.
Kjo humbje e trefishtë ka tronditur thellë komunitetin në Llapushnik dhe më gjerë. Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka shprehur ngushëllimet familjes Gashi. Sipas raporteve të mediave, tragjedia ka prekur edhe komunitetin italian në Gorizia, ku familja Gashi jetonte prej 20 vitesh, dhe bashkëqytetarët po mbledhin fonde për të ndihmuar familjen.
Humbja e tre anëtarëve të një familjeje brenda pak ditësh ka lënë pas një dhimbje të thellë, duke shërbyer si një kujtesë e trishtë për rrezikshmërinë në rrugët e Kosovës.

