Aksidentet në punë: 31 viktima gjatë vitit të kaluar
Dita Botërore për Sigurinë në Punë këtë vit shënohet në hijen e tragjedisë së fundit në një kantier ndërtimi në Kisella Vodë, ku një punëtor humbi jetën dhe katër të tjerë u lënduan. Sindikata e Ndërtimit kërkon përgjegjësi nga institucionet për këtë rast.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Maqedonisë për Sigurinë në Punë, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 132 aksidente në vendin e punës, prej të cilave 31 kanë përfunduar me fatalitet.
Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës deklaroi se, megjithëse numri i viktimave ka shënuar rënie, kontrollet inspektuese janë rritur me 20 për qind. Megjithatë, këto kontrolle realizohen nga rreth 120 inspektorë në nivel vendi.
Ekspertët theksojnë se aksidentet në punë mund të parandalohen përmes trajnimeve të rregullta, kontrolleve më të shpeshta dhe përgjegjësisë në kohë.
Nga ana tjetër, përfaqësues të Bashkimit Evropian vlerësojnë se zhvillimi shoqëror duhet të ecë paralelisht me rritjen ekonomike. Këshilltari i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Alexandru Albu, theksoi se kushtet psikosociale në vendin e punës ndikojnë drejtpërdrejt në produktivitet dhe, rrjedhimisht, në zhvillimin ekonomik.
Sektorët më të rrezikshëm për sigurinë në punë mbeten industria prodhuese dhe ndërtimi, ku regjistrohet numri më i madh i lëndimeve. Pas tyre renditen administrata publike, shërbimet dhe transporti.