
Akuzat e VLEN-it ndaj Osmanit bien poshtë – Raporti i Entit të Revizionit e konfirmon
Enti Shtetëror i Revizionit ka konfirmuar se ngjarja më e madhe ndërkombëtare e organizuar ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut, Ministeriali i OSBE-së 2023 në Shkup, është zhvilluar pa asnjë shkelje ligjore apo procedurale. Ky përfundim rrëzon pretendimet e bëra nga koalicioni opozitar VLEN ndaj ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, shkruan Gostivari Sot, duke u thirrur në akuzat e VLEN-it dhe raportin e Entit të Revizionit
Në dokumentin zyrtar të Entit thuhet qartë:
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur rastin në vitin 2023 dhe ka vazhduar ta shqyrtojë në vitin 2024. Në seancën e 99-të, më 26 janar 2024, ka marrë vendim se dyshimet nuk janë konfirmuar.”
Ky vendim dëshmon se jo vetëm që nuk ka pasur keqpërdorime, por edhe se organizimi i samitit ka qenë shembull i transparencës dhe profesionalizmit.
Megjithatë, nga VLEN kanë zgjedhur t’i referohen vetëm parashtresës fillestare për hetime, duke lënë anash përfundimin e qartë të raportit të revizionit që hedh poshtë çdo dyshim.
“Raporti i Entit të Revizionit është dëshmi zyrtare se nuk ka pasur asnjë shkelje. Çdo interpretim tjetër është manipulim i hapur për qëllime politike,” – theksojnë burime pranë ish-ministrit Osmani.
Ky rast tregon edhe një herë rëndësinë e bazimit të akuzave në fakte të verifikuara dhe jo në insinuata politike, sidomos kur bëhet fjalë për ngjarje me peshë ndërkombëtare dhe ndikim në imazhin e vendit. Gostivari Sot