Al Khelaifi: I kënaqur se te Franca po shënojnë lojtarët e PSZH-së
Presidenti i Paris Sen Zhermenit, Naser Al Khelaifi, ka shfrytëzuar këto ditë pushim në kampionat për t’iu dedikuar sportit të “padel”. Gjithsesi, ai nuk e fsheh kënaqësinë që skuadra e tij kryeson renditjen në kampionat me 9 pikë të plota.
Duke folur shkurtimisht për mediat, ai shfrytëzoi rastin për t’u shprehur për kombëtaren franceze, duke i dërguar në mënyrë indirekte një mesazh sulmuesin Kilian Mbappe, larguar këtë verë nga parizienet.
“Jam i kënaqur, pasi me kombëtaren franceze po shënojnë vetëm lojtarët që luajnë me PSZH-në. Kjo tregon se kemi bërë zgjedhje të mira”, u shpreh Khelaifi, duke vënë “gishtin në plagë” te francezët për mungesen e golave të Mbappe.
Mbape, që këtë verë shkoi te Real Madridi, së fundi është zhbllokuar me madrilenët, por mungesa e golave të tij është ndjerë në kombëtare.