
Albin Kurti tregon pse nuk e ka vizituar Thaçin në Hagë
Në një intervistë në Top Story përballë Grida Dumës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti në prag të zgjedhjeve, ka folur mbi mandatin e tij 4-vjeçar dhe ambicien për ta qeverisur Kosovën si forcë e vetme edhe për një tjetër mandat.
Ai u shpreh se zgjedhjet e së dielës, nuk janë zgjedhje, por referendum dhe se sipas tij zgjedhjet e rregullta do të jenë në 2029.
“Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që pas shpalljes së pavarësisë. Ndonëse janë të rregullta nuk janë zgjedhje të zakonshme, meqë këto që kemi bërë në këto katër vite është e paparë për Kosovën. Nesër ne e quajmë ditë referendumi. Zgjedhje të rregullta do të ketë në 2029”, tha ai.
Kurti tha se në këto katër vite kanë pasur mbështetje të popullit duke shtuar se nuk ka pasur asnjë protestë, por se kundërshtia ka qenë nga opozitarët, që i cilën për arsye xhelozie.
Kurti ka treguar mes të tjerash arsyen se përse nuk e ka vizituar në Hagë Hashim Thaçi dhe të burgosurit e tjerë. Sipas tij nuk e ka bërë sepse nuk pranon që të ‘legjitimojë’ Gjykatën Speciale.
“Kam pasur ndërmend të shkoj, por nuk kam mendim aspak pozitiv për Gjykatën Speciale siç ka pasur Thaçi dhe kur kam marrë vesh që për të shkuar në Hagë duhet të mbushej një mori letrash, prandaj nuk kam shkuar. Se kjo i bie që unë duhet të pranoj Gjykatën Speciale. Duhet t’i bëj asaj një lloj legjitimimi, ndaj nuk kam shkruar se nuk dua të nënshkruaj letra me logo të Speciales”, deklaroi ai.