
Albrim Hoxha: Qëndroj aty ku kam qenë gjithmonë, kundër BDI-së
Anëtari i Kryesisë Qendror të Aleancës për Shqiptarët dhe njëherësh shefi i shtabit zgjedhor të ASH-së në Strugë, Albrim Hoxha, ka reaguar publikisht lidhur me situatën e fundit politike brenda ASH-së dhe zërave për afrim me BDI-në.
Në një deklaratë të shpërndarë në rrjete sociale, Hoxha thekson se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar dhe se mbetet kundërshtar i çdo bashkëpunimi me BDI-në, si brenda strukturave të partisë, ashtu edhe në terren.
“Shumë miq më kanë kontaktuar këto ditë për të kuptuar se ku qëndroj në këtë mjegull politike. Jam aty ku kam qenë gjithmonë, nuk kam ndryshuar,” shprehet Hoxha, duke shtuar se pozicionin e tij e ka shprehur qartë në organet më të larta të partisë – në Kryesinë dhe Kuvendin Qendror të ASH-së.
Ai kritikon tendencat për zbutjen e qëndrimeve ndaj BDI-së, duke i quajtur arsyetimet për “reformimin” e kësaj partie si qesharake dhe absurde.
“A thua se BDI paskësh qenë vetëm Artan Grubi e Ramiz Merko – listëzinjtë e SHBA-së? Po grupi parlamentar i BDI-së sot? Aty janë Musa Xhaferi, Blerim Bexheti dhe Sadulla Duraku. Reformimi duhet të fillojë nga kreu i partisë,” thekson ai.
“Kam qenë dhe jam ‘ushtar’ i VLEN-it dhe i Aleancës, i përkushtuar me gjithë qenien time. Dhe po, e besoj ende atë frymë, me gjithë të metat që mund të ketë.”
Në fund, Hoxha ndan edhe disa sekuenca nga fjala e tij e mbajtur në Kuvendin e fundit të ASH-së më 6 Prill në Gostivar, si dëshmi e qëndrueshmërisë në bindjet dhe parimet e tij politike.