
Aleanca e Selës hap Shtabin Komunal në Hasanbeg, Adnan Alija kryetar
Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Ziadin Selës njoftoi se kryetari i degës së saj, Adnan Alija, është zgjedhur kryetar i Shtabit Komunal të ASH në Komunën e Gazi Babës (Hasanbeg).
Hapja e shtabit u zhvillua në një atmosferë madhështore, me pjesëmarrjen e një numri të madh të anëtarëve dhe strukturave lokale. Në këtë ngjarje ishin prezent edhe Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, Sekretarja e Përgjithshme, Ilire Dauti, si dhe nënkryetarët Elmi Aziri dhe Naim Bajrami. Kandidati i AKI për Komunën e Haraçinës, Skender Isufi, gjithashtu mori pjesë në takim.
Sela theksoi rëndësinë e forcimit të strukturave lokale:
“Hasanbegu dhe dega e Gazi Babës janë bastione të fuqishme të Aleancës për Shqiptarët, me një strukturë të organizuar dhe anëtarësi në rritje të vazhdueshme.”
Adnan Alija, në fjalën e tij pas zgjedhjes, premtoi angazhim të plotë për të përforcuar punën e shtabit dhe për të mobilizuar anëtarësinë në shërbim të komunitetit. Flaka