
Aleanca për Shqiptarët alarmon për ndikimin serb në sektorët strategjikë të vendit – VLEN hesht
Aleanca për Shqiptarët ka shprehur sot shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit në sektorët strategjikë të Maqedonisë së Veriut, duke paralajmëruar për konsolidimin e kapitalit dhe ndikimit të Serbisë nëpërmjet një strategjie të koordinuar në telekomunikacion, bankë dhe media.
“Kur telekomunikacioni, bankat dhe media përqendrohen në duart e një aktori të vetëm, krijohet një kapacitet i strukturuar për ndikim politik, ekonomik dhe shoqëror. Në këtë rast, ky aktor është një shtet që e ka artikuluar hapur agjendën e tij për të forcuar ‘Botën Serbe’ në rajon,” thuhet në reagimin e subjektit.
Sipas Aleancës, vetëm në muajt e fundit, Telekom Serbia ka shpallur investime të reja prej 50 milionë eurosh, pas 18 milionëve të investuar më herët, me synim të bëhet operatori kryesor në telekomunikacionin e vendit. Paralelisht, Alta Banka e Serbisë po hyn në tregun bankar përmes blerjes së Stopanska Banka AD Bitola, ndërsa në fushën mediatike rrjeti Newsmax Balkans dhe kanalet Arena Sport po rrisin ndikimin kulturor e gjuhësor serb.
Më tej, Aleanca ngre alarmin për lidhjet politike të këtyre investimeve: “Alta Banka e Serbisë është e lidhur ngushtë me rrjetin politik të Vuçiçit dhe me Milan Radoiçiçin – organizatorin e aktit terrorist të Banjskës në Kosovë – dhe tashmë është në prag të marrjes së kontrollit të Stopanska Banka AD Bitola nga oligarku i listës së zezë amerikane, Orce Kamçev, financues i VMRO-DPMNE.”
Partia opozitare akuzon qeverinë për heshtje dhe mungesë transparence: “Banka Popullore dhe Komisioni për Letrat me Vlerë veprojnë si miratues teknikë, pa asnjë analizë të ndikimit strategjik. VLEN – që para zgjedhjeve premtonte mbrojtje të interesave kombëtare – sot hesht përballë një procesi që prek drejtpërdrejt sovranitetin ekonomik dhe sigurinë e shtetit.”
Në përfundim, Aleanca për Shqiptarët kërkon ndërprerjen e menjëhershme të procedurave për miratimin e këtyre transaksioneve deri në realizimin e një analize të plotë strategjike, transparencë të plotë mbi burimin e kapitalit dhe hapjen e një debati publik mbi kontrollin e sektorëve strategjikë nga kapitali i huaj me agjendë politike.
“Sovraniteti nuk cenohet vetëm me ushtri e kufij – ai humbet gradualisht kur ekonomia dhe infrastruktura kritike dorëzohen në duar që nuk i shërbejnë interesit kombëtar,” thekson Aleanca.
The post Aleanca për Shqiptarët alarmon për ndikimin serb në sektorët strategjikë të vendit – VLEN hesht appeared first on Flaka, në çdo lajm… .