
Aleanca për Shqiptarët: Familjarët e zyrtarëve të VLEN-it marrin paga dhe nuk shkojnë në punë!
Aleanca për Shqiptarët denoncon me ashpërsi praktikat e nepotizmit dhe kliantalizmit që po aplikohen nga koalicioni qeverisës VLEN. Drejtori i Teatrit të Dibrës, Jeton Qormemeti – Jeta Qormemeti, së fundmi është punësuar në ministrinë e Hazir Aliut, ndërsa Yllka Nuredini ka punësuar motrën e saj 18-vjeçare Rea Nuredini në Ministrinë e Shëndetësisë.
Edhe zëvendësministri Albrim Hoxha ka punësuar bashkëshorten e tij, Selamije Hoxha në të njëjtin institucion. Në Ministrinë e Shëndetësisë skandalet nuk kanë fund; Azir Aliu ka punësuar dhëndrin e tij Dritan Dauti në kabinetin e tij.
Për më tepër, bashkëshorta e ministrit Hazir Aliu në emër të “Digital School”, ka lidhur kontrata me komunat që drejtohen nga përfaqësues të VLEN-it, duke krijuar një rrjet të qartë favorizimesh dhe përfitimesh familjare.
Rrethi i nepotizmit në VLEN po ngushtohet më tej, kur Yllka Nuredini si varrëse e Arben Fetaiut emëroi babain e saj Ylber Nuredini drejtor në Qendrën për Kulturë në Dibër. Deputetja Merita Kollçi Koxhaxhiku ka punësuar djalin e saj në MNAV, ndërsa zëvendësministrja Safije Sadiku ka punësuar bashkëshortin e saj Besnik Shahini në MEPSO, institucione me paga të majme, gati 2.000 euro.
Arben Fetai punëson kushëririn në Drejtorinë e Doganave, po ashtu institucion me paga të larta, ndërsa Fatmir Limani ka punësuar vajzën, vëllanë dhe dhëndrin në pozita drejtuese, përfshirë edhe në ESM dhe MEPSO, institucione ku rrogat kalojnë pagat mesatare në Gjermani. Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka punësuar nipin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, një institucion me rëndësi të veçantë për shtetin.
Skandaloze paraqitet fakti që Xhevat Selami, i përfshirë si i dyshuar në tragjedinë e Koçanit, është pasuar nga nipi i tij Muhamed Aliu, i emëruar drejtor në Qendrën për Menaxhim me Kriza. Validin Ademi ka punësuar gruan e tij në arsim, derisa është kryeshef i sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës. Pozicione dhe vendet e punës për familjarë dhe miq ka kapur edhe Izet Mexhiti, i cili ka emëruar Muhamed Elmazi, kushëri, drejtor në NomaGaz, Selajdin Beluli, dhëndër, drejtor në Agjencinë për Punësim, dhe Burim Latifi, djali i tëzes, drejtor në MEPSO.
Në ndërkohë, Fatmir Sabriu nga VLEN ka punësuar bashkëshorten e tij në Agjencionin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele – AVMU, një organ që duhet të jetë plotësisht i pavarur, por që VLEN e ka kthyer në një mjet për të instaluar “satelitët” e vet politikë.
Skandaloze paraqitet edhe rasti i Familjes Ismaili, e cila ka marrë disa funksione kyçe, duke përfshirë Afërdita Ismaili, drejtoreshë në Gjinekologjinë e Çairit, Meral Ismaili, drejtoreshë e Institutit të Mjekësisë së Punës në Çair, Erzen Elezi, drejtor në Spitalin e Tetovës, Merale Rexhepi, kryeshefe në Gjinekologjinë e Tetovës, derisa burri i Afërdita Ismailit është kryetar i Këshillit Komunal të Tetovës. Nga të gjitha këto të dhëna kuptohet se pozicionet dhe vendet e punës me paga nga 2.000 euro e lart janë rezervuar nga VLEN për familjarët e tyre, kurse qytetari i ndershëm dhe aktivisti i zakonshëm vazhdon të mbetet në listat e pritjes. Skandaloze paraqitet fakti që shumica e vendeve të përmendura marrin paga, por nuk shkojnë në punë, për çka Aleanca për Shqiptarët do të paraqesë dokumentacion zyrtar në ditët në vijim.