
Aleanca për Shqiptarët: Milica pagëzoi Maqedoninë dhe Kosovën troje serbe – VLEN peng i Botës Serbe
Ministrja serbe Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, vetëm një ditë më parë, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Kosovës i quajti “Serbia e vjetër”, duke përsëritur retorikën shoviniste dhe hegjemoniste serbe ndaj trojeve shqiptare.
“Në vend që të reagojnë ndaj kësaj fyerjeje të rëndë për shqiptarët dhe për shtetin tonë, grupimi politik që përfundimisht nuk VLEN zgjedh të heshtë dhe të gjithë energjinë e vet e përqendron në shpifje, paragjykime dhe në përpjekje për të poshtëruar shqiptarët”, thekson Aleanca për Shqiptarët.
Sipas tyre, ekponentët e këtij grupimi shkojnë aq larg, sa akuzojnë shqiptarët për nxitje të tensioneve ndëretnike, ndërkohë që i shërbejnë grupeve ekstremiste serbe përmes amnistisë që po ua bëjnë.
“VLEN nuk ka hallin e shqiptarëve, e as të Kosovës. Për Milicën dhe Beogradin zyrtar, Kosova mbetet ‘Kosova dhe Metohija’, ndërsa trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë t’i quajnë troje serbe”, shtojnë ata.
Aleanca për Shqiptarët akuzon lidershipin e VLEN-it se është i kapur politikisht nga Mickoski, i cili nëpërmjet dosjeve për veprat e tyre kriminale i mban peng dhe i kushtëzon.
“Të katandisur nga humbja e thellë që i pret në referendumin shqiptar të tetorit, drejtuesit e VLEN kanë filluar të çoroditen dhe të demantojnë vetveten publikisht”, thekson Aleanca.
Rasti më i fundit është ai i koordinatorit të Grupit Parlamentar, Bekim Qoku, i cili pranoi hapur se donacioni serb në Tetovë ishte për ndërtimin e Kishës, duke e demaskuar mashtrimin e Bilall Kasamit që pretendonte se aty do të ndërtohej një xhami.
“Bekim Qoku, edhe pse pa vetëdije të plotë, tha të vërtetën që nxori lakuriq të gjithë lidershipin e VLEN-it. Nuk ishte as lapsus, e as gabim – ishte deklarata më e sinqertë që shqiptarët dëgjuan prej tyre”, përfundon Aleanca për Shqiptarët.
Aleanca për Shqiptarët rithekson se shqiptarët nuk mund të mashtrohen më me propagandë të tillë dhe meritojnë përfaqësues të denjë që reagojnë me dinjitet kur shkelet mbi Kosovën dhe mbi trojet shqiptare, jo politikanë të shitur që heshtin para Beogradit dhe Mickoskit, ndërsa merren me shpifje kundër popullit të vet. Flaka