Ali Ahmeti falënderon SHBA-në, NATO-n dhe Evropën për mbështetjen e UÇK-së
Ali Ahmeti, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetar i BDI-së, mori pjesë në tubimin protestues të organizuar në Shkup nga Organizata e Veteranëve, ku qytetarët shprehën mbështetje për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Gjatë fjalës së tij, Ahmeti falënderoi Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe NATO-n për mbështetjen e dhënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, sipas tij, ndihmoi në ndalimin e gjenocidit ndaj popullit të Kosovës, raporton Klankosova.tv.
“Jemi mbledhur sot në sheshin ‘Skenderbe’, një vend historik për kufijtë e Evropës, për të mos lejuar asnjë pushtim të saj. Jemi pranë vendeve ku vepruan figura të shquara të kombit tonë: Hasan Prishtina, Pjetër Bogdani dhe Nexhat Agolli. Hasan Prishtina u vra për lirinë e kombit, Pjetër Bogdani dha dije dhe filozofi evropiane, ndërsa Nexhat Agolli u pushkatua nga regjimi për kërkesën e tij për liri, drejtësi dhe barazi për popullin”, tha Ahmeti.
Ai shtoi: “Amerikë, NATO, Evropa, faleminderit që filozofinë dhe veprimtarinë e njerëzve më të mëdhenj të kombit tonë e keni mbështetur përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke ndaluar gjenocidin ndaj popullit të saj”.