Ali Ahmeti: Kandidati ynë për Shkupin është Skender Rexhepi – Zejd
“Pas konsultave me liderët e partive politike që përbëjnë Besëlidhjen Aleanca Kombëtare për Integrim, me unitet të plotë dhe me vendim të përbashkët, u dakorduam që kandidati ynë për Kryetar të Qytetit të Shkupit të jetë z. Skender Rexhepi – Zejd,” deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas Ahmetit, Rexhepi, i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe kryeson partinë “Lëvizja Populli”, vjen me një profil të spikatur në fushën e filozofisë, sektorit civil dhe mbrojtjes së të drejtave qytetare.
“Z. Rexhepi është Kryetar i partisë politike ‘Lëvizja Populli’, i diplomuar në Fakultetin Filozofik, me një përvojë të gjatë dhe të dëshmuar në sektorin civil dhe shoqërinë civile,” theksoi Ahmeti.
“Ai ka qenë zëri i paepur i qytetarëve, mbrojtës i të drejtave të tyre dhe avokat i reformave të thella politike dhe shoqërore.”
Ahmeti shtoi se përmes kësaj kandidature, Besëlidhja e re politike synon të ofrojë një alternativë të vërtetë për transformimin e kryeqytetit.
“Kandidatura e tij përfaqëson jo vetëm unitetin e forcave progresive të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe një alternativë të qartë për Shkupin, një qytet që meriton zhvillim të barabartë, qeverisje transparente dhe gjithëpërfshirëse.”
Në fund, lideri i BDI-së shprehu bindjen se Rexhepi do të jetë një kryetar i denjë për të gjithë qytetarët e Shkupit:
“Besëlidhja Aleanca Kombëtare për Integrim është e bindur se me z. Skender Rexhepi – Zejd, Shkupi do të ketë një kryetar që njeh realitetin, dëgjon qytetarin dhe punon për të gjithë, pa dallim.” Flaka
The post Ali Ahmeti: Kandidati ynë për Shkupin është Skender Rexhepi – Zejd appeared first on Flaka, në çdo lajm… .