
Ali Ahmeti në Tetovë: “Historia jonë është themeli i së ardhmes sonë”
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mori pjesë sot në promovimin e librit “Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe Maqedonia” të Gjeneral Kudusi Lamës, ku mbajti një fjalë mbi rrugëtimin politik e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Sot në Tetovë, në promovimin e librit të Gjeneral Kudusi Lamës, pata nderin të flas për rrugëtimin tonë të përbashkët drejt lirisë, barazisë dhe integrimit,” deklaroi Ahmeti, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si një gurthemel të arritjeve të sotme.
Sipas tij, sakrifica e ish-luftëtarëve ishte e drejtuar për “dinjitet, paqe dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët”. Ai kujtoi se, 24 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, amaneti i atyre që dhanë jetën mbetet i qartë: “Të mbetemi të bashkuar dhe t’i mbrojmë të arriturat tona të përbashkëta.”
Ahmeti vlerësoi veprën dhe figurën e autorit të librit, duke thënë: “Prof. Dr. Kudusi Lama ka dhënë kontribut të çmuar për çështjen kombëtare, duke mbetur gjithmonë zë i motivimit, zë i së vërtetës dhe i sakrificës.”
Duke e mbyllur fjalën, ai theksoi se trashëgimia historike është busulla e së ardhmes: “Historia jonë është themeli i së ardhmes sonë.” Flaka Media