Aliu: Ligji për Mbrojtje nga Duhani, pas dy javësh në Kuvend
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, njoftoi se teksti i Ligjit për Mbrojtje nga Duhani është finalizuar dhe pritet që brenda dy javësh të hyjë në procedurë kuvendore.
Ai bëri të ditur se javën e ardhshme do të mbahet takimi përfundimtar me palët e interesuara, pas të cilit dokumenti do të kalojë në procedurat administrative në nivel qeverie, për t’u proceduar më pas në Kuvend.
“Kemi tekstin përfundimtar. Të mërkurën tjetër kemi takimin përfundimtar me të gjithë stakeholder-ët, pas këtij takimi do të vazhdojë procedura administrative në nivel të qeverisë, me idenë që për dy javë të jetë pjesë procedurale në Parlament”, deklaroi Aliu.
Gjatë një vizite në Gostivar, ministri theksoi gjithashtu se janë siguruar pajisje moderne mjekësore për katër spitale rajonale, në partneritet me Project HOPE.
Sipas tij, përmes projektit PeriMAC janë siguruar pajisje në vlerë prej rreth gjysmë milioni dollarësh, të destinuara për spitalet në Gostivar, Veles, Strumicë dhe Strugë. Vetëm për Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar, vlera e pajisjeve arrin rreth 130 mijë dollarë.
Aliu theksoi se këto investime synojnë përmirësimin e kujdesit për nënat, të porsalindurit dhe pacientët që kanë më shumë nevojë për trajtim në këto institucione shëndetësore.