Aliu: Me modelin trivjeçar të prokurimit publik deri te sistemi më i qëndrueshëm për sëmundjet e rralla
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, zhvilloi sot një takim pune me përfaqësues të Aleancës Kombëtare për Sëmundje të Rralla, organizatë që përfshin mbi 15 shoqata të pacientëve.
MARKETING

Gjatë takimit u diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballen personat me sëmundje të rralla, duke përfshirë nevojën për terapi të rregullt dhe të pandërprerë, përmirësimin e komunikimit institucional, si dhe forcimin e bashkëpunimit dhe besimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe organizatave të pacientëve.
Ministri Aliu theksoi përkushtimin e institucionit për ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për furnizimin me terapi. Ai nënvizoi se modeli i ri i prokurimit publik me procedura trevjeçare synon të sigurojë stabilitet më të madh, vazhdimësi në furnizim dhe planifikim më efikas në interes të pacientëve.
Në këtë kuadër, ministri prezantoi edhe një shembull konkret të qasjes së re në menaxhimin e mjeteve për barna për sëmundje të rralla. Sipas tij, për ilaçin OXLUMO (lumasiran), që përdoret në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve, është arritur një ulje vjetore e çmimit prej 96.248 denarësh përmes harmonizimit të çmimeve. Ndërkohë, përmes prokurimit publik me modelin trevjeçar, pritet të realizohet një kursim shtesë prej rreth 68.600 eurosh për këtë terapi.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se do të vazhdojë komunikimin e rregullt me Aleancën Kombëtare për Sëmundje të Rralla, me qëllim adresimin në kohë të sfidave dhe ndërtimin e zgjidhjeve të përbashkëta në interes të pacientëve.
Po ashtu, u theksua se institucioni mbetet partner i hapur për organizatat e pacientëve dhe i përkushtuar ndaj politikave që garantojnë terapi në kohë, menaxhim të përgjegjshëm të fondeve publike dhe përmirësim të cilësisë së jetës për personat me sëmundje të rralla.