Aliu: Qytetarët të deklarohen për dhurimin e organeve
Me ndryshimet ligjore, secili qytetarë do të mund që përmes sistemit “Termini im”, të deklarohet për dhënien e organeve. Kështu u shpreh ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, në panel diskutimin kushtuar dhënies së organeve, që u mbajtë mbrëmë në Gostivar, në të cilin panel ai i prezantoi masat sistemore dhe politike që realizohen për të promovuar dhurimin e organeve në vendin tonë.
Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë
“Si Ministri kemi bërë shumë në këtë drejtim. Prej një viti funksionon një zyrë e posaçme me synimin për të ndërtuar një sistem të mirëfilltë. Çdo procedurë zhvillohet sipas protokolleve, në mënyrë që të jepen përgjigje për të gjitha çështjet që lidhen me dhurimin e organeve. Secili prej nesh duhet të flasë për rëndësinë e këtij akti human dhe të kontribuojë në rritjen e besimit në këtë proces”.
Përndryshe, Ministria e Shëndetësisë po zbaton fushatë të vazhdueshme kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin për dhurimin e organeve si një proces edukativ i vazhdueshëm. Paralelisht, ministri theksoi se po punohet për të përfshirë mjekët e kujdesit shëndetësor primar, shkollat, universitetet, shoqatat e pacientëve dhe komunitetet fetare, në mënyrë që kjo çështje të bëhet pjesë e një dialogu publik të matur dhe të informuar. Ndërsa shtoi se në të njëjtën kohë, ekipeve të transplantimit po u ofrohet mbështetje e vazhdueshme dhe po përgatitet një kornizë dixhitale dhe ligjore në të cilën vullneti i qytetarëve do të shprehet qartë, do të regjistrohet në mënyrë të sigurt dhe do të respektohet vazhdimisht.
Ministri Aliu deklaroi se ai do të jetë i pari që do të regjistrohet si dhurues organesh, pas vendosjes së sistemit.
Emine Ismaili /SHENJA/