
Ambasada e Kosovës lavdëron Qeverinë e Maqedonisë, por autorët e thirrjeve raciste ende të lirë
Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka reaguar ndaj thirrjeve raciste dhe anti-shqiptare të bëra nga tifozët gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë. Në një deklaratë zyrtare, ambasada e dënon gjuhën e urrejtjes, duke e cilësuar si dukuri të shpeshtë në stadiumet e Maqedonisë së Veriut me “ndikim shumë negativ”.
“Dënojmë me forcë thirrjet raciste që shkojnë përtej rivaliteteve sportive dhe cënojnë kohezionin ndëretnik,” thuhet në reagimin e ambasadës.
Ambasada ka vlerësuar pozitivisht qëndrimin e menjëhershëm të kreut institucional të Maqedonisë së Veriut dhe të faktorit politik shqiptar në qeveri, të cilët sipas saj kanë dënuar incidentin “me vendosmëri”.
“Pozitivisht vlerësohet reagimi institucional, si dhe nisma e prokurorisë për hetim,” thekson ambasadori Florian Qehaja, duke shtuar se “ndëshkimi i autorëve do të ishte precedent për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”.
Megjithatë, reagimi i ambasadës erdhi me vonesë, dhe në opinion është parë si deklaratë me tone të buta dhe lavdëruese ndaj autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, ndonëse ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për të identifikuar autorët e thirrjeve raciste.
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili ndodhej në sallë gjatë incidentit, u shpreh vetëm pas insistimit të gazetarëve shqiptarë, duke deklaruar se “i bashkohet thirrjeve për dënimin e aktit”, pa dhënë asnjë koment për praninë e tij gjatë skandalit apo për heshtjen fillestare.
Ngjarja ka nxitur reagime të ashpra në opinion, sidomos përballë heshtjes së gjatë të disa institucioneve dhe përpjekjeve për ta relativizuar gjuhën e urrejtjes në një kontekst sportiv. Flaka
The post Ambasada e Kosovës lavdëron Qeverinë e Maqedonisë, por autorët e thirrjeve raciste ende të lirë appeared first on Flaka, në çdo lajm… .