Ambasada e SHBA për “optimizimin” e forcave të KFOR-it: Të koordinohet ngushtë me të gjitha palët
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar për herë të parë lidhur me vendimin e NATO-s për “tranzicionin gradual të pranisë” së përhershme të KFOR-it mbi urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe “integrimin gradual të Policisë së Kosovës në ruajtjen e Manastirit të Deçanit”.
Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së ka rikujtuar, të enjten, se NATO aktualisht është duke zbatuar një “optimizim të pozicionimit të forcave” të misionit të KFOR-it, i cili proces do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe në koordinim të ngushtë me të gjitha palët relevante.
“NATO aktualisht është duke zbatuar optimizimin e pozicionimit të forcave të misionit të Forcës së Kosovës (KFOR). Procesi do të jetë gradual dhe do të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante”, ka thënë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në një përgjigje për gazetën Reporteri.
Ambasada e SHBA-së ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare.
“Presim vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it, EULEX-it dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë gjatë gjithë procesit të optimizimit të pozicionimit të forcave të NATO-s”, thuhet më tej në përgjigje.
Sa i përket situatës së sigurisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur se stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor mbetet prioritet.
“Shtetet e Bashkuara i japin përparësi ruajtjes së stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë përkushtimin e KFOR-it për të mbështetur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm, i cili garanton siguri afatgjatë për të gjitha komunitetet”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së.
Përkundër pyetjes së nëse largimi gradual i pranisë së KFOR-it nga ura mbi Ibër nënkupton hapjen e saj për qarkullim të lirë dhe nëse SHBA-ja e mbështet një hap të tillë, Ambasada e SHBA-së në Kosovë në përgjigjen e saj nuk ka dhënë një qëndrim të drejtpërdrejtë për hapjen e saj.
KFOR-i më 10 gusht njoftoi për nisjen e “tranzicionit gradual” të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. NATO ka bërë të ditur gjithashtu se ndryshime të ngjashme në praninë e KFOR-it do të ndodhin edhe në zona të tjera, përfshirë Manastirin e Deçanit.
Disa ditë pas këtij njoftimi, Admirali George Wikoff, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFCNP), shtoi se vendimet lidhur me praninë e KFOR-it te Ura e Mitrovicës bazohen në vlerësimin për situatën e sigurisë. Ai, më 26 gusht 2026, tha se prania e KFOR-it do të shtohet në disa zona, përfshirë, por pa u kufizuar në, Mitrovicën e Veriut dhe veriun e Kosovës.
Sa i përket hapjes së urës nga ky proces, Admirali Wikoff ishte i qartë: “KFOR-i nuk e ka mandatin për të përcaktuar nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo u takon BE-së dhe institucioneve përkatëse në Kosovë që ta përcaktojnë, pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e tij të përhershme në urë”.
Paralajmërimet e NATO’s, janë kundërshtuar ashpër nga Lista Serbe në Kosovë dhe Beogradi zyrtar. Për to ka reaguar edhe vetë Presidenti serb Aleksandër Vuciq.