
Analizë: Pse u injorua zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Strugë?
Hapja zyrtare e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Strugë u cilësua si një moment historik dhe strategjik në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këtë ngjarje të profilit të lartë diplomatik morën pjesë ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani, homologu i tij nga Maqedonia e Veriut Timço Mucunski, zv.Kryeministri i parë Izet Mexhiti si dhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani.
Por ajo që bie në sy në mënyrë të qartë, si në deklaratat e tyre në rjetet sociale, ashtu edhe në dokumentimin fotografik të publikuar nga të tre përfaqësuesit, është mos përmendja dhe mungesa totale e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti.
As Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në postimin e tij zyrtar, nuk përmend z. Mexhiti, ndonëse bëhet fjalë për një përfaqësues të nivelit më të lartë qeveritar shqiptar në vend. Po ashtu, as Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, e as ambasadori Denion Meidani nuk e kanë përfshirë emrin apo praninë e tij.

Kjo heshtje kolektive institucionale ngre pyetje serioze:
•A është ky një qëndrim i qëllimshëm për të minimizuar rolin e zv.kryeministrit Mexhiti në këtë proces diplomatik?
•A po injorohet Mexhiti për shkak të pozicionimeve të tij politike brenda skenës shqiptare në Maqedoni?
•Dhe më rëndësishmja: çfarë sinjali i dërgohet qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, kur figura më e lartë politike shqiptare në qeveri nuk njihet fare në një akt kaq simbolik dhe të rëndësishëm?
Fotografitë e publikuara nga vendi i ngjarjes nuk e tregojnë askund z. Mexhiti, çka lë të kuptohet se ai nuk është ftuar, apo është qëllimisht anashkaluar.
Në një kohë kur përfaqësimi i denjë dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë më të rëndësishëm se kurrë për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ky injorim i dukshëm është një veprim që meriton sqarim, por edhe reflektim.
Institucionet duhet të jenë më transparente dhe gjithëpërfshirëse, sidomos kur përfaqësojnë shqiptarët në vendin e tyre dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë. Çdo përjashtim politik ose simbolik, sado i heshtur të jetë, ka peshë dhe pasoja në perceptimin publik.
