Ançeloti: Futbollistët të ngrejnë dorën kur janë të lodhur, kemi cilësi në pankinë
Karlo Ançeloti analizoi fitoren 3-0 ndaj Valadolidit, duke theksuar rëndësinë e saj, pas një pjese të parë të vështirë.
“Kur fitojmë duhet të jemi të lumtur, sidomos pas vështirësive të pjesës së parë, ” tha në fillim trajneri italian.
Ançeloti ka kërkuar lojtarëve përgjegjësi, duke përmendur se është thelbësore që të komunikojnë me të nëse ndihen të lodhur, sidomos në kushte si e diela.
“Është normale që në këtë vapë lodhen, por duhet të jenë të përgjegjshëm dhe ngrenë duart për të kërkuar zëvendësim nëse duhet, pasi kemi cilësi në pankinë. Në pjesën e dytë kishim më shumë lëvizshmëri dhe shpejtësi me topin, gjë që na lejoi të ishim më kompaktë. Kjo përmirësoi rikuperimin e topit. Krahasuar me ndeshjen e mëparshme kundër Mallorca, puna në mbrojtje ishte më e mirë. Në total kemi punuar mirë, së bashku”.
Trajneri italian foli për Endrikun, i cili vazhdon të përshtatet me ekipin, duke theksuar potencialin e sulmuesit të ri Brazilian.
“Ai ka një potencial shumë të madh, është mjaft i fuqishëm në goditje dhe në hapësira të vogla. Është një qendërsulmues shumë i rrezikshëm”.
Më tej, ai iu referua rolit të Arda Guler në këtë ndeshje.
“Kjo ndeshje është pjesë e projektit të tij të ecurisë. Si atij, ashtu edhe Endrikut iu duhen minuta për t’u përshtatur mirë me ekipin. Çdo ditë mund të jetë një mundësi e mirë për këta talentë të rinj”.