Ançeloti: Majorka zhvilloi një lojë të shkëlqyer, ishte më e mirë se ne
Trajneri Italian, Karlo Ançeloti, analizoi përplasjen e skuadrës së tij dhe siguroi se ishte një leksion që duhet t’i tregojë se ku duhet të përmirësohen.
“Ne e nisëm lojën mirë, kaluam në avantazh dhe mund të shënonim të dytin. Në pjesën e dytë na mungonte ekuilibri. Është një ndeshje që edhe mund ta humbnim, sepse nuk kishim ekuilibër. Nuk ishte një lojë e mirë. Ne jemi një ekip shumë sulmues, por ekuilibri në mbrojtje mbetet pjesë thelbësore. Të gjithë kanë mendimin e tyre për zëvendësimet, janë detaje të vogla. Mund të jenë vonuar ose jo.
“Nuk jemi të lumtur. Mund të kishim bërë shumë më mirë. Nuk dua të justifikohem. Mund të mësojmë shumë nga kjo ndeshje, sepse ishte shumë e qartë se ku kemi probleme. Aspekti i mbrojtjes nuk ka qenë i mirë. Ka qenë e vështirë ta rrëmbejmë topin, të bëjmë presion pas humbjes së tij. Kur flasim për aspektin mbrojtës, flasim mbi të gjitha për angazhimin kolektiv”.
Pjesa e dytë ishte problematike, sepse skuadra luajti shumë e hapur. Ne duhej të ishim më të përqendruar. Nuk është problem fizik apo mendor, thjesht qasjeje. Balanca gjendet me lojtarët që mendojnë të njëjtën gjë kur duhet të rikuperojmë topin. Të gjithë duhet të shkojmë së bashku. Të gjithë mund të mendojnë se është problem për sulmuesit, por mund të jetë edhe për mbrojtësit apo mesfushorët. Majorka luajti një lojë të shkëlqyer dhe ishte më e mirë se ne,” tha mes tjerash Ançeloti.
Në përballjet e raundit të dytë, Real Madridi do të takohet me Valadolidin, më 25 gusht.