Andonovski: Transformimi digjital po e ndryshon jetën e qytetarëve
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, prezantoi raportin për aktivitetet, projektet dhe reformat e realizuara nga Ministria gjatë dy viteve të fundit. Andonovski theksoi se ky raport nuk është vetëm një paraqitje e shifrave, sistemeve dhe ligjeve, por një tregues nëse shteti po bëhet më i qasshëm, më efikas dhe më i drejtë për qytetarët.
STEFAN ANDONOVSKI-MINSTRI I TRANSFORMIMIT DIGJITAL
“Kur e morëm detyrën, trashëguam një gjendje të rëndë: kushte nën standard për punë, procese të çorganizuara, padi, sisteme jofunksionale, projekte të bllokuara, borxh ndaj programit ‘Evropa Digjitale’, aplikacione të bllokuara dhe ngecje në digjitalizimin e shërbimeve. Por, në vend të arsyetimeve, ne zgjodhëm të punojmë”.
Ai theksoi se gjatë dy viteve të fundit Ministria ka dëshmuar se transformimi digjital nuk është një koncept abstrakt, por një ndryshim konkret në jetën e përditshme të qytetarëve. Andonovski bëri të ditur se një nga rezultatet më të rëndësishme është zhvillimi i Portalit Kombëtar për Shërbime Elektronike uslugi.gov.mk. Sipas tij, numri i shërbimeve elektronike në portal është rritur nga 120 në vitin 2024 në 352 në vitin 2026. Numri mujor i shërbimeve të ofruara është rritur nga 1.354 në 13.445, ndërsa numri i përgjithshëm i kërkesave të paraqitura është rritur nga 64.000 në mbi 340.000.
Në raportin e tij, ministri gjithashtu ka prezantuar 11 prioritetet kryesore mbi të cilat është udhëhequr transformimi digjital gjatë dy viteve të fundit.
STEFAN ANDONOVSKI-MINSTRI I TRANSFORMIMIT DIGJITAL
“Për ne, transformimi digjital nënkupton një shtet që është i qasshëm nga çdo pajisje, shërbime që kryhen pa sportele të panevojshme, institucione që shkëmbejnë të dhëna mes vete në vend që qytetarët të bartin dokumente, si dhe një sistem që mbron të dhënat dhe besimin e qytetarëve. Detyrimi ynë është të vazhdojmë të ndërtojmë shërbime digjitale, të forcojmë sigurinë kibernetike dhe të krijojmë institucione që ofrojnë shërbime të shpejta, transparente dhe të barabarta për të gjithë”.
Ministri Andonovski theksoi se Maqedonia e Veriut nuk duhet të jetë një shtet që vetëm pret, por një shtet që ofron rezultate konkrete për qytetarët, kompanitë dhe institucionet.
Zebushe Ramadani /SHENJA/