
Antikorrupsioni ende pa vendim për mijëra eurot e Komunës së Çairit që përfunduan te lokali i zëvendësministres
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ende nuk ka marrë vendim për lëndën të cilën e formoi pas raportimit të Portalb.mk për paratë e lëshuara nga Komuna e Çairit në llogari të kafiterisë “1Sh” e cila është në pronësi të zëvendës-ministres së Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Ndonëse nga KSHPK-ja muajin e kaluar njoftuan se kanë hapur lëndë për këtë rast, ende nuk ka vendim.
“Procedurat mbi rastin janë duke vazhduar. Pas përcaktimit të gjendjes faktike në rastin konkret, do të merret vendim në një seancë publike të KSHPK-së”, thanë për Portalb.mk nga KSHPK.
Ata nuk treguan se kur pritet të merret vendimi.
Kujtojmë që Portalb.mk në qershor 2025 zbuloi se mijëra euro nga Komuna e Çairit i janë ndarë në mënyrë sistematike kafiterisë ‘1sh’ në pronësi të zëvendësministres së Transportit dhe ndër njerëzve më të afërm të Izet Mexhitit, Kaltrina Zekolli Shaqirit.
Mjetet janë ndarë pa shpallje publike dhe me marrëveshje sy-më-sy.
Afër 9 mijë euro i janë lëshuar kësaj kafiterie që kur Zekolli-Shaqiri është zëvendësministre, për më pak se 1 vit.
Fqinjët e intervistuar nga Portalb-i thanë se kafiteria më së shpeshti frekuentohet nga aktivistë të Lëvizjes Demokratike.
Komuna e Çairit s’i komentoi transaksionet e vjetra, thotë se në vitin 2025 aty janë ushqyer sportistët e Çairit kur kanë pasur gara, gjithashtu nuk përgjigjet se pse vetëm ky lokal ndër vite kryen këtë ‘shërbim’ për ata, pa ju dhënë mundësi bizneseve tjera.
Zëvendësministrja theksoi se është vetëm pronare dhe se nuk merret me pjesën e pagesave. Për këtë rast më pas reaguan edhe partitë politike.