Arauho mund të jetë çelësi i zgjedhjes së krizës financiare te Barcelona
Barcelona është në krizë si në fushën e lojës ashtu dhe në aspektin financiar, pasi katalanasit nuk mund të bëjnë manovra të mëdha në merkato. Për këtë arsye, katalanasit janë gati të heqin dorë nga lojtari më i kërkuar i momentit në shtëpinë e tyre.
Bëhet fjalë për mbrojtësin uruguajan Ronald Arauho, që ka kërkesa të shumta. Ai e nisi sezonin me një dëmtim, por më pas rikuperoi dhe tani është i paprekshëm për trajnerin Çavi (20 ndeshje, 13 në La Liga dhe 1 gol). Gjithsesi, në janar Arauho mund të ndërrojë fanellë. Sipas “Sky Sports”, dy skuadra të mëdha si Bajern Munih dhe Man. Junajted kanë kërkuar informacione për lojtarin.
Për këtë arsye, Barcelona kërkon të përfitojë, duke synuar që ta shesë mbrojtësin 24-vjeçar për 80 milionë euro. Shumë kjo disi e lartë, por që do ta ndihmonte për të dalë nga kriza financiare. Bajerni e dëshiron lojtarin që në janar, ndërsa “Djajtë e Kuq”, synojnë ta marrin në merkaton e verës.