
Arben Fetai me video-mesazh për aktivistët e ASH-së: Nuk do të lejojmë që BDI të kthehet sikur s’ka ndodhur asgjë
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka reaguar me një video-mesazh drejtuar aktivistëve dhe përkrahësve të Aleancës për Shqiptarët, në mes të përplasjes së thellë brenda partisë pas vendimit të kryetarit Arben Taravari për të dalë nga qeveria.
Në fjalën e tij, Fetai është shprehur qartë se qëndron përkrah aktivistëve që nuk e pranojnë siç e cilëson ai “poshtërimin e shpresës”, duke theksuar se beteja nuk është më personale, por për dinjitetin kolektiv të shqiptarëve.
“Nuk do të lejojmë që BDI të kthehet sikur s’ka bë asgjë. Ata duhet të përballen me të vërtetat që i kanë shmangur për dy dekada. Këtu nuk bëhet fjalë më për individin, këtu është në pyetje dinjiteti kolektiv,” deklaroi Fetai në videon e publikuar në rrjete sociale.
Ky reagim vjen në një kohë kur Aleanca për Shqiptarët ndodhet në një nga krizat më serioze të brendshme politike që prej themelimit të saj. Pas vendimit të Taravarit për të larguar partinë nga qeveria dhe për t’u pozicionuar në opozitë, një numër figurash të larta të ASH-së, përfshirë zëvendëskryeministrin Fetai, deputetin e dorëhequr Salim Sulejmani, ish deputetin Syrja Rashidi dhe ish ministrin Azir Aliu, kanë dalë publikisht kundër këtij vendimi, duke e konsideruar atë si largim nga vlerat dhe kauzat fillestare të partisë.
Fetai, në mesazhin e tij, u përpoq të mobilizojë bazën dhe aktivistët duke shprehur vendosmërinë për të mos lejuar që, siç tha ai, “të harrohen dështimet dhe abuzimet e BDI-së” dhe për të ruajtur qëllimin fillestar të ASH-së si një alternativë e besueshme për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Përplasja e brendshme pritet të thellohet edhe më shumë në ditët në vijim, teksa figura kyçe të partisë vazhdojnë të ndajnë qëndrime të kundërta për rrugën që duhet ndjekur./ZYRTARE.net/