Arbër Ademi: Çdo përpjekje për t’i trajtuar shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë është “goditje ndaj vetë shtetit”
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, në konferencën për media paraqiti vizionin dhe qëndrimet e Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), duke theksuar se kjo forcë politike nuk është krijuar për fushata, por për vizion afatgjatë dhe stabilitet shtetëror.
“Ne nuk jemi parti e fjalëve, por e punës. Nuk kërkojmë pushtet për pushtet, por përgjegjësi,” – deklaroi Ademi.
Ai theksoi se AKI do të hyjë në zgjedhje me vlera, përgjegjësi dhe me një qëllim të qartë – ta rikthejë politikën në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, duke ruajtur orientimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
Ademi e quajti të palëkundur qëndrimin e partisë për mbrojtjen e marrëveshjeve ndërkombëtare – të Ohrit, Prespës dhe asaj të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë – të cilat, sipas tij, janë “themeli i stabilitetit të shtetit dhe garancia për rrugën drejt BE-së”.
“Zero konflikte me fqinjët, zero tensione etnike dhe një orientim tërësisht euroatlantik – kjo është politika jonë,” u shpreh ai.
Në fjalimin e tij, Ademi theksoi se barazia e shqiptarëve është e drejtë kushtetuese e jo privilegj, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për t’i trajtuar shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë është “goditje ndaj vetë shtetit”.
Një nga pikat kryesore të platformës së AKI-së është vettingu i plotë në drejtësi dhe hetimi i pasurive të funksionarëve publikë e partive politike gjatë tre dekadave të fundit.
“Ky është vettingu që ndan të ndershmit nga të korruptuarit, shtetin nga bandat dhe politikën nga krimi,” theksoi Ademi.