Arbër Ademi i reagon ashpër Bekim Salit: Jemi një komb shqiptar, jo popuj të ndryshëm!
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimi Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së Zëvendëskryeministrit, Bekim Sali, duke theksuar se marrëdhëniet ndërshtetërore nuk duhet të ngatërrohen me përkatësinë kombëtare të shqiptarëve.
Në reagimin e tij, Ademi thekson se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy shtete fqinje, anëtare të NATO-s dhe me aspiratë të përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, ai nënvizon se në Maqedoninë e Veriut jeton i njëjti popull shqiptar që jeton në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë.
“Marrëdhëniet ndërshtetërore nuk guxojnë të ngatërrohen me marrëdhëniet tona kombëtare si shqiptar. Jemi një komb. Jemi shqiptar. Vetëm aq, zoti Zëvendëskryeministër i Parë. Nuk jemi popuj të ndryshëm! Dhe kurrë s’kemi për të qenë”, ka shkruar Ademi.
Ky reagim vjen pas formulimit “në planin kombëtar mes popujve tanë”, i përdorur nga Zëvendëskryeministri gjatë një takimi zyrtar me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj./TVSHENJA
