
Arbër Ademi: Ministrja serbe mohon masakrat, VMRO dhe VLEN heshtin
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër pas deklaratave të ministres serbe Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, e cila akuzoi BDI-në për, siç tha ajo, “shtrembërim të historisë serbe”, transmeton Flaka
“Ministrja serbe jo vetëm që tenton të paraqesë pushtimin si ‘çlirim’, por tashmë del edhe me akuza të drejtpërdrejta ndaj BDI-së, duke mohuar dhunën dhe masakrat ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë,” deklaroi Ademi.
Ai theksoi se heshtja e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it i bën ato palë me projektet e “botës serbe”.
“VMRO dhe VLEN po heshtin. Heshtja e tyre është bashkëfajësi. Ata po bëhen palë me projektet e ‘botës serbe’, duke u rreshtuar në krah të narrativave që mohojnë historinë dhe vuajtjet tona,” u shpreh nënkryetari i BDI-së.
Ademi theksoi se BDI-ja do të qëndrojë e vendosur në mbrojtje të vlerave strategjike të vendit:
“BDI do të mbetet e palëkundur në mbrojtje të orientimit euroatlantik, barazisë ndëretnike dhe të vërtetës historike të Maqedonisë së Veriut,” përfundoi ai. Flaka