Arjanit Hoxha i BDI-së sfidon VLEN-in: “Hajdeni të shkojmë në zgjedhje”
Nënkryetari i BDI-së, Arjanit Hoxha, ka reaguar ndaj sondazheve të publikuara së fundmi për rejtingun e partive politike, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tyre dhe duke sfiduar drejtpërdrejt koalicionin VLEN.
MARKETING

Në një reagim publik, Hoxha u shpreh se nuk synon t’ua zbehë entuziazmin për rezultatet e sondazheve, por u ka drejtuar një kërkesë konkrete: organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Pa dashur t’ua prishim entuziazmin nga sondazhet e publikuara për rejtingun e partive politike, kemi një kërkesë të qartë për VLEN-in: nëse vërtet qëndroni aq mirë sa tregojnë këto sondazhe, atëherë hajdeni të shkojmë sa më parë në zgjedhje,” – deklaroi Hoxha.
Ai gjithashtu shprehu dyshime mbi pavarësinë e agjencive që realizojnë sondazhet, duke aluduar për lidhje të mundshme me pushtetin dhe me VMRO-DPMNE-në. Sipas tij, vlerësimi real i partive politike duhet të vijë nga qytetarët.
“Në vend që të vlerësoheni nga agjenci të afërta me VMRO-DPMNE-në, le të jetë populli shqiptar ai që jep verdiktin,” – theksoi ai.
Në fund, Hoxha ngriti një pyetje të drejtpërdrejtë për kundërshtarët politikë: “A mos vallë i besoni më shumë VMRO-DPMNE-së sesa qytetarëve shqiptarë?”
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur sondazhet për mbështetjen politike kanë nxitur përplasje dhe tensione mes subjekteve politike në kampin shqiptar.