Armand Duka: Kushdo që ndihet shqiptar do të luajë për ne
Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuari i parë në “Nazarko Podcast”, një format i ri që sapo ka nisur, nën moderimin e Mentor Nazarkos dhe Oneda Skënderit. Gjatë bisedës, Duka foli për rrugëtimin e tij në krye të Federatës, rritjen e institucionit, rolin e tij në UEFA dhe ndryshimet që kanë ndodhur në futbollin shqiptar. Megjithatë, fokusi jonë ishte te marrëdhëniet e tij me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), kalimin e lojtarëve nga Kosova te Shqipëria si dhe rastin e fundit “Etnik Brruti”.
Kalimi i lojtarëve nga Kosova te Shqipëria (rasti i Brrutit)
“Pashë një status të babait të lojtarit dhe mendoj që ishte i duhuri. Akuza për mua apo FSHF-në ka në të dyja drejtimet, pse e keni marrë këtë lojtar apo pse nuk e keni marrë. Edhe kur i merr, edhe kur nuk i merr, gjysma e njerëzve janë pro dhe gjysma kundër. Nëse je i bindur që ke bërë më të mirën, duhet të vazhdosh ta bësh.
A e kam marrë unë Brrutin?
Unë jam një nga ata që vendos për politikat e FSHF-së dhe një nga politikat tona është që dera e kombëtares është e hapur për këdo. Ne marrim vetëm futbollistët shqiptarë, kushdo që ndihet shqiptar luan për ne.
Marrëdhënia me FFK?
Kam marrëdhënie të mira me të gjitha federatat e Evropës, kurse me Federatën e Kosovës kam marrëdhënie vëllazërore.
Rasti i Etnik Brrutit
Në këndvështrimin sportiv, të gjithë ata që janë mbështetës të përfaqësueses së Kosovës mund të kenë një lloj të drejte, nëse futbollisti është një talent që mund të kishte kontribuar për ekipin që ata mbështesin. Në këtë këndvështrim kanë të drejtë. Në këndvështrimet e tjera nuk kanë të drejtë, sepse kushdo vendos vetë për veten. Nuk kemi pse mërzitemi, ne jemi bërë krenarë që Xhaka luan me Zvicrën, tani mërzitemi se pse Brruti luan me Shqipërinë. Brruti e ka marrë pasaportën dhe kemi aplikuar dhe për vizën angleze dhe uroj ta kemi në kohë.
Çfarë i ofron Brruti Silvinjos?
Teknikisht nuk e njoh, vendosin trajnerët, drejtori teknik i FSHF-së. Nuk e kam parë ndonjëherë. Nuk kam formimin e duhur për ta njohur teknikisht.