Arne Slot pranon: Ishim me fat që shënuam fitore ndaj Bournemautit
Skuadra e Liverpullit fitoi 2-0 në shtëpinë e Burnemutit falë dy golave të Mohamed Sallahut dhe ruan epërsinë prej 6 pikësh ndaj Arsenalit në renditjen e Premier Ligës, me një ndeshje më pak. Gjithsesi, për trajnerin e “The Reds”, Arne Slot fitorja nuk ishte aspak e lehtë dhe u desh një kampion si Salah që t’i jepte fitoren.
“Ishte ndeshja që prisnim. Ata janë intensivë, vazhdojnë të vrapojnë dhe të luftojnë çdo sekondë. Ne duhej të jepnim përtej mundësive tona për të fituar dhe pranoj se këtë herë fituam edhe me pak fat. Na duhej fat për të fituar këtë takim”, tha trajneri holandez.
“Patëm fat pasi ata goditën shtyllën dy herë dhe ata vazhdimisht përpiqeshin të shënonin. Ata kishin edhe shanse të tjera dhe nuk mendoj se ne në fakt e kontrolluam lojën. Ishte një lojë e hapur dhe e barabartë, sepse të gjitha ekipet luftojnë këtu në Premier”, shtoi Slot.
“Goli i dytë ishte diferenca mes dy skuadrave. Nuk ishte një rast i lehtë apo i thjeshtë, mënyra se si Salah shënon është kaq e lehtë për të. Kjo të tregon se sa cilësi ka ai për të fituar një ndeshje si kjo. Pjesa tjetër e ekipit dhe ai punuan shumë për të mbajtur portën e pastër. Nuk mendoj se mund të kisha kërkuar më shumë se ku jemi në këtë moment”, tha Slot.