Arteta: Mungesa e golit po kthehet në problem psikologjik
Vetëm një fitore në 7 ndeshjet e fundit tregojnë se Arsenal është në krizë. Skuadra që dominonte në Premier League tashmë ka harruar jo vetëm të fitojë por edhe të shënojë. Në shtatë ndeshjet e fundit, Arsenali ka shënuar pesë gola. Shumë pak për një ekip që krijon shumë raste. Në tre ndeshjet e fundit, Arsenali ka pasur 61 goditje në portën kundërshtare, por ka gjetur rrjetën vetëm një herë.
Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, mendon se problemet e Arsenalit para portës janë bërë “psikologjike”.
“Këto ditë pushimi do të na bëjnë mirë për të kaluar këto momente të vështira. Shpresoj se mund ta shoh këtë edhe nga lojtarët. Kur gjërat shkojnë mirë, ata kërcejnë. Tani gjërat janë të vështira, le të shohim se ku qëndrojnë”.
Arteta, më tej thekson se ishin më të mirë se Liverpulli, por në fund duhej të pajtohen me disfatën.
“Ishte një rezultat vërtet zhgënjyes humbja ndaj Liverulli me një paraqitje të madhe kundër ndoshta ekipit që është më në formë në Europë. Ne ishim më të mirë se ata, krijuam shumë më tepër se ata, krijuam kaq shumë raste, por ne nuk po shënojmë dot.
Kundër këtyre skuadrave, duhet të shënosh nëse dëshiron të fitosh. Nëse nuk shënon dhe më pas pëson autogol… është e vështirë të fitosh. Është futboll dhe duhet të gjuajmë më mirë dhe të arrijmë në pozicione më të mira. Ishim më mirë se Liverpool dhe duhet të kishim fituar lojë, nuk ka dyshim për këtë”, tha në fund Arteta.