ASH: Dështoi tentimi i qeverisë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor – VLEN u servilos ndaj VMRO-DPMNE-së
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, të shtunën, ku në rend dite ishin ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ky ligj kërkonte parimin e votimit me Badinter, por sipas ASH-së, qeveria tentoi ta kalojë pa konsultim dhe pa transparencë me opozitën shqiptare.
“Deputetët e opozitës shqiptare nuk u konsultuan për asgjë, ndonëse kjo ka qenë gjithmonë praktikë e zakonshme kur bëhet fjalë për ligje që prekin Kodin Zgjedhor”, thekson ASH.
Sipas opozitës shqiptare, edhe pse e anashkaluar, ajo tregoi gatishmëri për kompromis:
“Ne ofruam mbështetje për ligjin, me kusht që qeveria të shfuqizojë vendimin për uljen e numrit të këshilltarëve komunalë – vendim i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Por nuk pati asnjë gatishmëri nga shumica parlamentare, madje as nga VLEN-i”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Aleanca akuzon se qeveria dhe VMRO-DPMNE kanë agjendë diskriminuese:
“Maskat ranë. U bë e qartë se Mickoski dhe qeveria e tij kanë një agjendë të qartë diskriminuese ndaj qytetarëve me të drejtë vote”, deklaron ASH.
Një tjetër paradoks, sipas opozitës, lidhet me mërgimtarët shqiptarë:
“Është paradoks i madh që mërgimtarët shqiptarë kanë të drejtë vote, por nuk kanë asnjë ndikim në përcaktimin e numrit të këshilltarëve. Ndërkohë, pjesa shqiptare brenda qeverisë bën vetëm sehir”, thekson ASH.
Partia opozitare kritikon ashpër edhe ministrat dhe deputetët shqiptarë të pushtetit:
“Asnjë ministër shqiptar dhe asnjë deputet shqiptar nga pushteti nuk e hapi gojën për këtë çështje. Ky është paradoksi i VLEN-it”, thuhet në reagim.
Në fund, ASH rithekson se parimi i Badinterit mbrojti barazinë politike dhe interesat e qytetarëve:
“Tentativa për ta ndryshuar Kodin Zgjedhor pa konsultim dhe transparencë dështoi. Aleanca për Shqiptarët do të mbrojë gjithmonë interesin politik dhe të drejtën e barabartë të qytetarëve përballë çdo tentative për përjashtim, manipulim dhe diskriminim.”






