
ASH: Premtimi për 2.500 punësime nga VLEN është kthyer në farsë
AA
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, dështimit total të VLEN-it për të realizuar premtimin e dhënë për 2.500 punësime për shqiptarët gjatë muajit korrik.
Sipas Aleancës, jemi tashmë në mesin e muajit dhe e vërteta është shumë larg propagandës: numri real i të punësuarve shqiptarë nuk kalon as shifrën 300 – një fakt që, sipas tyre, pranohet edhe nga vetë VLEN përmes deklaratave të veta.
“Reklama është kthyer në demaskim për porositësit e saj. Ky është realiteti i hidhur i pjesëmarrjes së VLEN-it në Qeveri: pushtet vetëm për të punësuar të afërmit e tyre dhe jo për të avancuar shqiptarët,” thuhet në deklaratën e Aleancës për Shqiptarët.
Partia opozitare thekson se diskriminimi ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdon edhe me praninë e VLEN-it në qeveri. Një rast konkret është Agjencia për Siguri Kombëtare, ku raporti i punësimeve është 40:1 në favor të maqedonasve. I vetmi shqiptar i punësuar atje, sipas Aleancës, është familjar i njërit prej krerëve të VLEN-it.
Skema e njëjtë, thonë ata, është ndjekur edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku vendi i vetëm për shqiptarë ka përfunduar në duart e rrethit të ngushtë të Arben Fetait.
“Të gjitha punësimet kalojnë në filtrin e VMRO-DPMNE-së. Pa ‘aminin’ e tyre nuk kalon asnjë emër. Ky është pushteti i vërtetë i VLEN-it – përkthyes i sukseseve të VMRO-së dhe shpërndarës i kumtesave të tyre në shqip,” deklaron Aleanca.
Sipas saj, jo vetëm që nuk janë realizuar 2.500 punësime, por propaganda e VLEN-it ka shkuar aq larg, sa që i paraqet edhe punësimet e bëra nga VMRO si “punësime për shqiptarët”.
Aleanca për Shqiptarët kritikon se edhe ato pak punësime të realizuara janë rezervuar për njerëzit e afërt me drejtuesit e VLEN-it, ndërsa “anëtari i thjeshtë, simpatizuesi i zhgënjyer dhe qytetari i ndershëm shqiptar nuk është as në rend dite, as në listën e famshme prioritare”.
“VLEN-i nuk është zë për shqiptarët. Ai është veçse një zëdhënës i sistemit të diskriminimit për shqiptarët, që e mban gjallë padrejtësinë përmes fasadës së përfaqësimit”, përfundon deklarata.
Aleanca për Shqiptarët thekson se do të vazhdojë të jetë zëri i të përjashtuarve, të zhgënjyerve dhe i gjithë qytetarëve shqiptarë që ndihen të tradhtuar nga përfaqësuesit aktualë. (INA)