
ASh pyet Mickoskin: A do të mbrojë Mexhitin nga akuzat për 450 mijë euro provizion? | VIDEO
Aleanca për Shqiptarët ka dalë me reagim të ashpër duke rikujtuar akuzat e dikurshme të VMRO-DPMNE-së ndaj Izet Mexhitit për aferën e sheshit “Skënderbeu” në Çair, dhe duke pyetur publikisht kryeministrin Hristijan Mickoski nëse do të vazhdojë ta mbrojë partnerin e tij të koalicionit.
“A do të vazhdojë Mickoski ta mbrojë Mexhitin nga akuzat për 450 mijë euro provizion për ‘Skënderbeun’, të ngritura nga Antonio Miloshoski? A mendon ende kryeministri se Izet Mexhiti, partneri i tij nga VLEN, si kryetar i Çairit ka marrë provizion prej 450 mijë eurosh për sheshin ‘Skënderbeu’, ashtu siç akuzonte VMRO-DPMNE kur ishte në opozitë?”, pyet ASh.
Nga kjo parti rikujtojnë se “Mickoski dhe VMRO-DPMNE publikisht shpalosnin shifra, skandale e afera për shpërdorimet në pushtetin lokal, ndërsa sot janë partnerë besnikë të qeverisë”.
Aleanca për Shqiptarët drejton disa pyetje të drejtpërdrejta për kryeministrin:
- “A heq dorë Mickoski nga deputeti i tij Antonio Miloshoski dhe pretendimet e tij, vetëm për ta shpëtuar Mexhitin?”
- “A beson ende VMRO-DPMNE në akuzat e veta ndaj Mexhitit, apo atëherë kritika ishte vetëm populizëm i lirë?”
- “A është gati kjo parti t’i mbyllë sytë para të gjitha atyre pretendimeve për krim, vetëm për të qëndruar në pushtet?”
Sipas ASh-së, çështja është e qartë:
“Lufta kundër korrupsionit nuk është objekt pazari. Nuk ka kompromis me krimet e dyshuara, as alibi për dyfytyrësi politike. Ka ardhur koha që VMRO-DPMNE të zgjedhë qartë: sundim të ligjit apo mbrojtje të rehatisë së koalicionit”.
Në fund, ASh paralajmëron se qytetarët nuk do të pranojnë standarde të dyfishta:
“Një gjë të flisni kur jeni në opozitë, dhe krejt tjetër të bëni sapo të uleni në pushtet. Nëse VMRO-DPMNE vërtet do të paraqitet si bartëse e ndryshimeve, duhet publikisht dhe pa kalkulime të tregojë: a do të qëndrojë në anën e drejtësisë apo do të mbetet bashkëfajtore në praktikat korruptive që vetë i denonconte”. Flaka