
ASh: Qeveria e VMRO-së dhe VLEN-it ka humbur shpresat e integrimit dhe ardhmërinë e rinisë
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj situatës së fundit me integrimin evropian, duke e cilësuar qeverinë aktuale si të kapitulluar dhe të paaftë për të mbrojtur interesat e qytetarëve, transmeton Flaka
“Letra e fundit nga Bullgaria, që akuzon Maqedoninë e Veriut dhe vë në pikëpyetje integrimin evropian, është dëshmi e hidhur e kapitullimit të plotë të qeverisë së VMRO-së dhe VLEN-it,” thuhet në reagimin e partisë.
Sipas Aleancës, qeveria ka zgjedhur “heshtjen dhe nënshtrimin përballë krimit dhe nepotizmit”, duke humbur shpresat e integrimit dhe duke rrënuar ardhmërinë e rinisë.
“VMRO mashtron, VLEN justifikon – ndërsa qytetarët paguajnë çmimin me izolim dhe poshtërim ndërkombëtar,” thekson më tej reagimi.
Aleanca për Shqiptarët kujton se shqiptarët kanë qenë gjithmonë motori i integrimit euroatlantik, ndërsa sot VLEN është shndërruar në “fasadë të VMRO-së dhe mbulesë për politikat antievropiane të saj”.
“Në vend që të mbrojë shqiptarët, VLEN po e poshtëron zërin e tyre. Në vend që të jetë garant i ardhmërisë, është bërë garant i dështimit,” thekson komunikata.
Partia kërkon llogari nga qeveria pse vendi ndodhet në “pozitën më të turpshme diplomatike në rajon” dhe nga VLEN pse pranon të heshtë përballë kësaj gjendjeje.
“Asnjë premtim dhe asnjë justifikim nuk e mbulon faktin: VMRO dhe VLEN e kanë shitur integrimin evropian për pushtet afatshkurtër,” thekson Aleanca për Shqiptarët.
Në fund, kjo parti rikujton se integrimi evropian është kauza e qytetarëve dhe sakrificave të tyre:
“VMRO dhe VLEN kanë dështuar – dhe ky dështim do t’i ndjekë në çdo derë, në çdo fushatë dhe në çdo votë.”