
ASH: VMRO–VLEN: 39 projekte për maqedonasit, vetëm 1 për shqiptarët – diskriminim i hapur akademik
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpërndarë 40 projekte kërkimore për vitin 2025. Nga to, 39 shkojnë për universitetet maqedonase, vetëm 1 për Universitetin e Tetovës. Ky është diskriminim etnik dhe shkencor në formën më të pastër.
Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, universitetet në Shkup, Manastir e Shtip morën nga 5–6 projekte secili. Universitetet shqiptare u lanë jashtë. Ky është modeli i diskriminimit që po zbatojnë VMRO dhe VLEN ndaj shkencës shqiptare.
Ku është Akademia Shqiptare që VLEN e proklamoi? Pse nuk figuron askund? UEJL u injorua, Universiteti “Nënë Tereza” u anashkalua, ndërsa Universitetit të Tetovës iu dha vetëm një projekt – thjesht për të mos dalë lista krejt etnikisht e pastër. Një nga dyzet projekte nuk është rastësi: është raporti 39 me 1, diskriminim i pastër.
Kjo është një shuplakë për botën akademike shqiptare pa përkrahje për universitetet tona, me zëvendësministër shqiptar që hesht e nuk ekziston në publik.
Ky nuk është rastësi. Nuk është gabim. Është politikë shtetërore e përjashtimit, që synon të fshijë kontributin shqiptar në shkencë. Është goditje për universitetet, për studiuesit dhe për çdo të ri shqiptar që ëndërron karrierë akademike në vendin e vet.
Me këtë qeveri, barazia në arsim dhe shkencë është vetëm fjalë bosh. VLEN jo vetëm që hesht, por është pjesë e këtij diskriminimi.
Ky rast le të jetë zgjim për botën akademike shqiptare. Heshtja sot është pjesë e përgjegjësië, reaguan nga Aleanca për Shqiptarët. Flaka
The post ASH: VMRO–VLEN: 39 projekte për maqedonasit, vetëm 1 për shqiptarët – diskriminim i hapur akademik appeared first on Flaka, në çdo lajm… .